Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka kujtuar sot Holokaustin, në 81-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Auschwitz, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe luftës kundër urrejtjes dhe diskriminimit.
Në një postim në X, Gërvalla përmendi historinë e të mbijetuarit Aron Krell, 99-vjeçar, i cili humbi pjesëtarë të familjes dhe vetë kaloi pesë kampe përqendrimi. Ajo theksoi se Holokausti dhe dhimbja e Kosovës na kujtojnë se urrejtja dhe diskriminimi mund të shkatërrojnë familje dhe shoqëri të tëra, nëse nuk përballen me guxim dhe dhembshuri.
“Ne i nderojmë viktimat duke kujtuar emrat, jetët dhe humbjet e tyre. Mësimet e Holokaustit duhet të jetojnë që një errësirë e tillë të mos kthehet më kurrë,” përfundoi Gërvalla.




