Në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë Kolonel Lumni Graishta, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Tunç Angılı, i shoqëruar me delegacion nga Ambasada Turke përfshirë atasheun, konsullin, dhe zyrtar të tjerë.
Takimi u fokusua në diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, me theks të veçantë në aspektet e sigurisë së përgjithshme, ruajtjen e stabilitetit dhe forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Palët shkëmbyen vlerësime mbi situatën aktuale të sigurisë dhe theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm për adresimin e sfidave të përbashkëta.
Drejtori Rajonal i Policisë vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e institucioneve ndërkombëtare, në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ai falënderoi mysafirët për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar përkushtimin e Policisë së Kosovës në zbatimin e mandatit të saj ligjor, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në avancimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Nga ana e tyre, mysafirët shprehën gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar profesionalizmin dhe angazhimin e Policisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave të saj.
Takimi u zhvillua në frymë të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në funksion të sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm në vend.




