Rruga rajonale Ferizaj–Gjilan, e cila ishte bllokuar për shkak të pranisë së ujit në rrugë, është hapur sërish për qarkullim.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se bëhet fjalë për segmentin në fshatin Sojevë, afër Bondsteel-it.
“Ju njoftojmë se rruga rajonale Ferizaj–Gjilan, në segmentin në fshatin Sojevë (afër Bondsteel), e cila ishte e bllokuar për shkak të ujit në rrugë, është liruar dhe tani është e kalueshme për qarkullim”, ka deklaruar Veseli.
Kujtojmë se të martën kjo rrugë ishte bllokuar për qarkullim si pasojë e reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështira atmosferike, duke shkaktuar vështirësi për drejtuesit e automjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat e prekura nga reshjet.




