Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka mohuar çdo lidhje me testimin e dronit të paraqitur si “Skifter 1” në Gjilan, duke theksuar se asnjë institucion shtetëror nuk ka dhënë autorizim për këtë aktivitet. As KFOR-i, autoriteti për hapësirën ajrore, nuk ka lëshuar leje për fluturimin e dronit.
Sipas Ministrisë, aktivitetet e vlerësimit të inovacionit në dronë të vegjël gjatë vitit të kaluar përfshinin vetëm dronë me helika për përdorim civil dhe të dyfishtë, ndërsa droni “Skifter 1” nuk ishte pjesë e këtyre testeve. Autoritetet shtetërore nënvizojnë se çdo zhvillim i dronëve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet përkatëse.




