Një operacion i gjerë hetimor është duke u zhvilluar në komunën e Malishevës, ku deri më tani mbi 50 komisionerë zgjedhorë janë shoqëruar nga autoritetet nën dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor.
Burime hetimore bëjnë të ditur se dyshimet serioze nuk kufizohen vetëm në Malishevë, por shtrihen edhe në komuna dhe zona të tjera të vendit, ku janë evidentuar mospërputhje të rezultateve të votimit. Komisionerët e shoqëruar po intervistohen në lidhje me dyshime për ndërhyrje në numërimin e votave, mospërputhje të rezultateve përfundimtare, si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë procesit zgjedhor.
Hetimet po zhvillohen nga njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim të plotë me Prokurorinë kompetente. Sipas burimeve, rasti po trajtohet me prioritet të lartë dhe konsiderohet si një nga hetimet më serioze për manipulim zgjedhor në vitet e fundit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se hetimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të operacionit edhe në komuna të tjera, raporton Sinjali.




