Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve në Kosovë, duke e krahasuar gjendjen ekonomike të vendit me atë të Gjermanisë.
Ajo ka theksuar se, ndryshe nga Gjermania ku kostoja e jetesës mbetet relativisht stabile, në Kosovë çmimet po rriten pa u shoqëruar me rritje të prodhimit vendor dhe të të ardhurave të qytetarëve. Sipas Ymerit, kjo situatë po i detyron shumë qytetarë të largohen nga vendi, jo për një jetë luksoze, por për të dalë nga ajo që ajo e quan “modus i mbijetesës”.
Në reagimin e saj, Ymeri ka kritikuar edhe Qeverinë, duke deklaruar se ekonomia e vendit po mbahet kryesisht nga remitencat e mërgatës. Sipas saj, këto mjete nuk po shfrytëzohen për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësim të standardit të jetesës, por po keqpërdoren për interesa politike, duke e thelluar stagnimin ekonomik dhe mungesën e perspektivës për qytetarët e Kosovës.




