Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka refuzuar ankesën e Pjetër Shalës ndaj urdhrit për zhdëmtim, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Trupit Gjykues. Ky vendim shënon rastin e parë në DhSK që shqyrton një apel kundër një urdhri për kompensim të viktimave.
Sipas njoftimit zyrtar, Paneli i Apelit ka konfirmuar urdhrin për zhdëmtim pas shpalljes së Shalës fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Në procesin e zhdëmtimit kanë marrë pjesë tetë viktima, të cilat kanë kërkuar kompensim për dëmet e pësuara.
Më 29 nëntor 2024, Trupi Gjykues kishte urdhëruar Shalën të paguajë shumën prej 208 mijë eurosh si kompensim për dëmet fizike, mendore dhe materiale të shkaktuara ndaj viktimave.
Ankesa e Shalës përmbante pesë pretendime, përfshirë gabime në zbatimin e ligjit, vlerësimin e provave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për zhdëmtim, si dhe kërkesën për pezullimin e shqyrtimit të apelit deri në përfundimin e procesit kundër verdiktit të fajësisë.
Paneli i Apelit i ka rrëzuar të gjitha këto pretendime, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje ligjore apo gabime procedurale. Gjithashtu, është vlerësuar se kërkesa për pezullim ishte e pabazuar, pasi aktgjykimi përfundimtar për fajësinë ishte dhënë më 14 korrik 2025. Sipas gjykatës, procesi i zhdëmtimit nuk ka cenuar të drejtat e Shalës për një procedurë të drejtë dhe brenda afateve të arsyeshme.




