Menaxheri i programit në KDI, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb nuk paraqet risi dhe vetëm sa konfirmon qëndrimet e mëhershme për përfaqësimin legjitim të komuniteteve. Ai theksoi se vendimi qartëson procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe heq dilemat kushtetuese që kanë bllokuar institucionet.
Cakolli e cilësoi tejet problematik reagimin e kryetarit në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha, sidomos në aspektin ligjor, duke paralajmëruar se kontestimi publik i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese cenon rendin kushtetues dhe autoritetin e saj.
Ai theksoi se çdo shmangie nga obligimet kushtetuese në procesin e konstituimit mund ta fusë Kosovën në krizë institucionale, politike dhe financiare, përfshirë rrezikun e mosmiratimit të buxhetit dhe zgjedhjeve të parakohshme.




