Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar pesë persona në kuadër të zgjerimit të hetimeve për manipulim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Të ndaluarit janë katër kryesues të komisioneve të numërimit dhe një koordinator i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Prizren.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë zgjeruar pas informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht njësitë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren.
Gjatë veprimeve hetimore janë intervistuar 28 persona të dyshuar dhe gjashtë dëshmitarë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pesë persona janë ndaluar për 48 orë.
Katër prej tyre dyshohen për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”, ndërsa koordinatori i KKZ-së dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.




