Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka deklaruar se, ndonëse respekton punën e institucioneve të drejtësisë, deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar lidhur me aktakuzën e raportuar në media më 31 dhjetor 2025 për disa zyrtarë të kësaj ministrie.
Në reagimin e saj, MASHTI thekson se mbështet parimin e pafajësisë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se do të jetë transparente ndaj çdo zhvillimi zyrtar që mund të vijë nga institucionet kompetente.
Ministria vlerëson gjithashtu rolin e mediave në informimin e publikut, duke bërë thirrje që raportimet të bazohen në fakte të verifikuara dhe standarde profesionale, në mënyrë që të shmanget keqinformimi dhe dëmtimi i proceseve gjyqësore.
Po ashtu, MASHTI kërkon respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë raportimeve publike dhe rithekson përkushtimin e saj ndaj transparencës dhe llogaridhënies institucionale.




