Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) mbajti mbledhjen e 361-të, ku u trajtuan çështje të rëndësishme për funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë certifikimin e rezultatit zgjedhor për anëtarët e këtij këshilli.
Në këtë mbledhje u miratua edhe propozimi për emërimin e mentorëve në Akademinë e Drejtësisë për gjyqtarët me mandat fillestar.
Gjatë shqyrtimit të kundërshtimit të kandidates Mejreme Mema për anëtare të KGJK-së, u zhvillua një debat mes kryesuesit Albert Zogaj dhe anëtarit Fahret Vellija. Zogaj i kërkoi Vellijës të “mos bëjë drama”, ndërsa Vellija theksoi se diskutohet profesionalisht dhe jo sipas dëshirës subjektive, duke kërkuar respekt për opinionin e tij.
Drejtori i Zyrës Ligjore në Sekretariatin e KGJK-së, Astrit Hoti, elaboroi se kundërshtimi nuk plotësonte kushtet formale, por u vlerësua në mënyrë ligjore. Hoti shtoi se për t’u konsideruar kandidat për anëtar të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, nevojiten 18 vota.
Ky debat nxiti tension dhe diskutim mbi mënyrën e trajtimit të kundërshtimeve brenda organit kolegjial.




