I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në vrasjen e bashkëshortes.
Ai deklaroi se ngjarja kishte ndodhur gjatë një grabitjeje të kryer nga një person i maskuar dhe se, në momentin kur u qëllua Liridona, as ai dhe as fëmijët nuk kanë qenë në veturë.
Murseli theksoi se kishte dalë nga makina për të shpëtuar fëmijët, duke menduar se grabitësi synonte ta merrte veturën, ndërsa krismat i kishte dëgjuar disa sekonda më pas.
Ai mohoi pretendimet e aktakuzës se e kishte mbajtur Liridonën për ta goditur plumbi dhe u betua në fëmijët e tij se ndodhej rreth 20–30 metra larg veturës në momentin kritik. Po ashtu, Murseli deklaroi se nuk ka paguar, porositur apo ndihmuar Granit Plavën për vrasjen e bashkëshortes së tij, duke i quajtur akuzat shpifje.
Në dëshminë e tij, ai foli edhe për përpjekjet për të kërkuar ndihmë pas ngjarjes, pamundësinë për t’u kthyer menjëherë te vendi i krimit për shkak të frikës së fëmijëve, si dhe për marrëdhëniet e ndërprera me familjen e Liridonës pas tragjedisë. Seanca gjyqësore u ndërpre dhe do të vazhdojë më 11 shkurt.




