Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me paralajmërimet për një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike deri në 21%, duke e konsideruar këtë si një barrë të rëndë për familjet kosovare.
PDK thekson se, në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të çmimeve, paga të ulëta dhe kosto jetese gjithnjë e më të lartë, një vendim i tillë do të përkeqësonte krizën sociale dhe ekonomike. Partia e konsideron të papranueshme që keqmenaxhimi në sektorin e energjisë të reflektohet mbi xhepat e qytetarëve dhe bën thirrje që Qeveria dhe ZRRE të refuzojnë rritjen e propozuar.
Sipas PDK-së, energjia elektrike duhet trajtuar si një nevojë bazike dhe çdo vendim duhet të mbrojë interesin publik. Partia gjithashtu njofton se do të vazhdojë angazhimin për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e energjisë, duke mbrojtur qytetarët nga politika që rëndon jetën e tyre të përditshme.




