Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj kërkesës së KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike mbi 20 për qind, duke e cilësuar këtë si zhvatje të drejtpërdrejtë të ekonomisë familjare.
Ajo në një prononcim për GazetaBlic ka theksuar se një rritje e tillë do të sjellë dobësim konkret të ekonomisë së Kosovës, pasi do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Sipas Ymerit, qytetarët do ta paguajnë shumëfish këtë rritje përmes kostos së përgjithshme të jetesës.
Ymeri ka paralajmëruar se përballë rritjes së vazhdueshme të kostove të jetës, emigrimi mund të mbetet zgjidhja e vetme për shumë qytetarë, duke shtuar se kjo situatë vetëm sa e zgjat jetën e një pushteti që ajo e cilëson mashtrues dhe të korruptuar.




