Lista Serbe ka nisur me largimin nga puna të shqiptarëve në veri të Kosovës, veprime këto që po vlerësohen si të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me ligjin.
Ish-kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka deklaruar se këto vendime janë arbitrare dhe po zbatohen në mënyrë selektive, kryesisht ndaj punëtorëve shqiptarë, pa ndonjë bazë të qartë ligjore. Ai paralajmëroi se një qasje e tillë mund të përkeqësojë ndjeshëm raportet etnike në zonë.
“Natyrisht, nëse do të vazhdohet kështu, situata mund t’i përkeqësojë raportet etnike, sepse veprimet që po merren nga ana e Listës Serbe janë veprime politike dhe arbitrare. Nuk po shoh asnjë rregull ligjor, merren vendime vetëm ndaj punëtorëve shqiptarë, pa ndonjë arsye konkrete”, ka deklaruar Zeqiri në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai shtoi se, për momentin, në Komunën e Zubin Potokut nuk ka pasur raste të tilla, por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të ndodhin në ditët në vijim. Sipas tij, këto veprime janë kundërligjore dhe mund të sjellin pasoja serioze për stabilitetin dhe bashkëjetesën ndëretnike.
Zeqiri theksoi se situata kërkon reagim të menjëhershëm institucional, me qëllim parandalimin e tensioneve të reja dhe garantimin e respektimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie.




