Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj situatës së bllokadave nga transportuesit në rajon, duke theksuar se tërheqja e tyre në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut nuk tregon arritje marrëveshjeje, por është rezultat i presionit të drejtpërdrejt të Bashkimit Evropian.
AKB paralajmëron se problemet mbeten të pazgjidhura, ndërsa protestat në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë vazhdojnë të pengojnë qarkullimin e mallrave dhe dëmtojnë tregtinë e Kosovës me vendet e rajonit dhe BE-në.
Aleanca kërkon reagim urgjent institucional, koordinim rajonal dhe ndërhyrje konkrete të BE-së për të garantuar lëvizje të lirë të mallrave dhe trajtim të barabartë për transportuesit e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se heshtja ose zvarritja nuk janë më opsion.




