Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj ish-presidentit të Shqipërisë dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Trupi gjykues monokratik, i kryesuar nga gjyqtarja Saida Dollani, shpalli të papranueshëm ankimin e paraqitur nga Meta përmes avokatit të tij, Gylsen Zhllima, duke konfirmuar kështu vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Ankimi kishte për objekt kundërshtimin e vendimit të 5 janarit 2026, përmes të cilit ishte refuzuar kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të lehtë. Me këtë vendim, Apeli i GJKKO-së vlerësoi se nuk kishte bazë ligjore për ndryshimin e masës së caktuar më herët.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ilir Meta po hetohet nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me tri çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Dosja është dorëzuar për gjykim, ndërsa Meta dhe Monika Kryemadhi përballen me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë




