Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të nisë hetime paraprake lidhur me dyshime për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Komunën e Obiliqit.
Sipas një njoftimi zyrtar, gjatë rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025 janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e disa kandidatëve për deputet. Për këtë arsye, Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë ka ndërmarrë veprime për të verifikuar saktësinë e rezultateve dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të mundshme nga persona përgjegjës.
Nga Prokuroria bëhet e ditur se procesi po përcillet me vëmendje të shtuar dhe se hetimet synojnë ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Institucioni thekson se mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, në funksion të sundimit të ligjit dhe transparencës zgjedhore.




