Një përleshje serioze mes të miturve është regjistruar në fshatin Arllat të komunës së Gllogocit, ku një fëmijë ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa ndaj dy të miturve të dyshuar janë iniciuar procedura penale.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 28 janar 2026, rreth orës 13:00, në afërsi të një marketi në Arllat. Rasti është raportuar në Polici më vonë gjatë mbrëmjes nga QKMF në Komoran, pasi viktima ishte paraqitur me lëndime serioze.
Sipas deklarimit të të miturit O.B. (2012), ai është sulmuar nga dy bashkëmoshatarë, të cilët e kanë goditur me grushte në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Një ditë pas incidentit, më 29 janar 2026, gjatë orarit shkollor, drejtoria e shkollës fillore në Arllat ka gjetur një thikë në posedim të njërit prej të dyshuarve. Mjeti i mprehtë është konfiskuar nga Policia.
I dyshuari është intervistuar në prani të Qendrës për Punë Sociale, avokatit mbrojtës dhe kujdestarit ligjor. Me vendim të Prokurorisë për të Mitur, rasti është iniciuar për veprat penale lëndim i rëndë trupor dhe mbajtje e paautorizuar e armës.
Dy të miturit e dyshuar janë ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.




