Universiteti i Prishtinës dërgon mbi 160 studentë për një semestër në kuadër të programit Erasmus+ drejt universiteteve në Evropë dhe Japoni. Studentët kanë premtuar se do të promovojnë Universitetin e Prishtinës dhe do të krijojnë ura të reja bashkëpunimi dhe miqësie në vendet pritëse.
Studentja Poema Efendia do të studiojë në Universitetin e Giessenit në Gjermani, duke falënderuar Universitetin dhe Departamentin për Bashkëpunim Ndërkombëtar për mundësinë. Ndërsa studenti i Fakultetit të Mjekësisë, Ardi Blakaj, i cili ka studiuar më parë në Universitetin e Pavias në Itali, e përshkroi përvojën si një thesar i vërtetë, duke ndarë edhe fotografi dhe kujtime nga eksperienca e tij ndërkombëtare.
Rektori prof. Arben Hajrullahu u uroi studentëve rritje të aftësive akademike dhe shkathtësive për jetën, duke i inkurajuar të shfrytëzojnë këto mundësi të jashtëzakonshme. Prorektorja Rozafa Basha i konsideroi studentët ambasadorë të Universitetit të Prishtinës, duke theksuar rëndësinë e përçimit të vlerave të institucionit dhe Kosovës në vendet ku do të studiojnë.
Ngjarja u organizua nga Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe u drejtua nga koordinatorja e programit Erasmus+, Afërdita Rexhepi. Studentët u porositën të mbajnë gjithnjë me vete flamurin e Kosovës gjatë eksperiencës së tyre ndërkombëtare.




