Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale “Eko-Regjioni” në Prizren, Burim Shala, në kuadër të hetimeve për dyshime lidhur me prokurimin publik.
Sipas autoriteteve, ndalimi i tij vjen si vazhdim i aksionit të zhvilluar më herët, gjatë të cilit u arrestuan edhe një zyrtar i kësaj ndërmarrjeje dhe një përfaqësues biznesi.
Shala dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në një proces tenderimi, si dhe për posedim të paautorizuar të armëve.
Gjatë hetimeve janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë edhe ambientet e kompanisë “Eko-Regjioni”.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.




