Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar padinë e paraqitur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT Sh.A.) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave të instancave më të ulëta.
Sipas aktgjykimit të marrë në seancën e kolegjit më 26 janar 2026, Supremeja e ka shpallur të pabazuar kërkesën e KOSTT-it për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 8 nëntor 2024.
Gjykata Supreme vlerësoi se vendimet e mëhershme janë marrë në përputhje me dispozitat ligjore dhe se arsyetimi i Gjykatës Komerciale ka qenë i qartë, i plotë dhe i mbështetur në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit në fuqi.
Në arsyetimin e saj, Supremeja ka konstatuar se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të rregullt, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT Sh.A., në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet përkatëse nënligjore.
Po ashtu, gjykata ka theksuar se ZRRE ka vepruar brenda përgjegjësive të saj për mbikëqyrjen e funksionimit të tregut të energjisë elektrike, përfshirë hetimet lidhur me shkeljet e mundshme të kryera nga KOSTT në proceset e blerjes së energjisë, pagesave dhe nominimeve.
Në këtë kontekst, Gjykata Supreme ka vlerësuar se shqiptimi i gjobës ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439 mijë e 405 euro, është bërë në përputhje me dispozitat procedurale dhe materiale, duke e refuzuar në tërësi padinë e paraqitur nga kjo kompani.




