Më 31 janar 1997 ndodhi një nga betejat e para madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ranë heroikisht Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ata u përballën me forcave serbe në pritën e vendosur në fshatin Pestovë, gjatë udhëtimit nga Prishtina drejt Vushtrrisë.
Zahir Pajaziti ishte një nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe organizues i sulmeve guerile në rajonin e Llapit. Aktiviteti i tij ushtarak filloi që në vitet ’90 dhe ai kontribuoi në furnizimin me armatim dhe koordinimin e aktiviteteve politike dhe ushtarake të UÇK-së. Për meritat e tij, më 31 janar 2008 presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ia akordoi Urdhrin “Hero i Kosovës”.
Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu shquheshin për guxim dhe përkushtim, duke mbështetur drejtuesit e njësive dhe duke kontribuar në formimin dhe organizimin e luftës, secili me veçantitë e tij, por të gjithë me një qëndrim heroik dhe të pandarë në misionin për lirinë e Kosovës.




