Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar në Kuvendin e partisë se vendimmarrja mbi fatin e LDK-së i përket vetëm anëtarësisë dhe asnjë organ apo interes i jashtëm nuk duhet të ndikojë.
Ai u shpreh se drejtimi i partisë është një sfidë demokratike, që kërkon përkushtim dhe lidership të hapur.
Abdixhiku nënvizoi se rezultatet e dobëta të zgjedhjeve nuk lidhen me një gabim të vetëm, por me një proces të gjatë që kërkon reflektim të thellë dhe përgjegjësi kolektive.
“Kjo nuk është thjesht një strukturë politike, është shtëpia jonë, familja jonë. Përgjegjësia është e imja, por vendimmarrja për fatin e partisë do t’i kthehet vetëm anëtarësisë,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi rëndësinë e demokracisë brenda partisë, duke e vlerësuar ndërtimin e lidershipit demokratik si një sfidë unike për LDK-në, që e dallon nga partitë e tjera ku udhëheqësit themelues mbeten autoritet suprem.
Kryetari i LDK-së shtoi se Kuvendi është hap i domosdoshëm për të reflektuar mbi rezultatet, pritjet e anëtarësisë dhe për të vendosur drejt për të ardhmen e partisë.




