Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se dy persona janë arrestuar si të dyshuar për një grabitje të ndodhur më 28 janar 2026 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Sipas policisë, dy të dyshuarit, të maskuar dhe të armatosur me thikë, hynë në një lokal këmbimore dhe merrën nga viktima 1,000 euro, duke u larguar në drejtim të panjohur. Pas një hetimi intensiv dhe në bashkëpunim me njësitet e Istogut, policia i lokalizoi dhe i arrestoi dy të dyshuarit në bjeshkët e Istogut më 30 janar rreth orës 23:00.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ata dyshohen gjithashtu për një grabitje tjetër të ndodhur më 21 dhjetor 2025 në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë.




