Superliga e Kosovës në basketboll rikthehet këtë fundjavë me përballje të pritshme dhe emocionuese për tifozët.
Java e 18-të hapet me një derbi të zjarrtë mes skuadrave tradicionale, Bashkimit dhe Sigal Prishtinës, të cilat gjithashtu do të përballen në gjysmëfinale të Kupës.
Prizrenasit aktualisht ndodhen në vendin e dytë me 11 fitore e 6 humbje, ndërsa prishtinasit kanë 8 fitore e 9 humbje, duke premtuar një ndeshje të fortë.
Një tjetër përballje me rëndësi do të zhvillohet mes GO+ Pejës dhe Rahovecit 029. Pejanët kanë 8 fitore dhe 9 humbje, kurse Rahoveci ka 5 fitore dhe 12 humbje, duke e bërë këtë duel jetik për të dy skuadrat.
Vëmendje do të ketë edhe në përballjen Vëllaznimi–Bora, ku kuqezinjtë kanë 5 fitore e 12 humbje, ndërsa prishtinasit e Borës janë në formë të mirë me 9 fitore dhe 8 humbje.
Java e 18-të mbyllet me përballjen Trepça–Golden Eagle Ylli. Të dy skuadrat janë në formë të shkëlqyer; mitrovicasit me 14 fitore dhe 3 humbje, duke shënuar nëntë fitore radhazi, ndërsa therandasit kanë 8 fitore dhe 9 humbje, me pesë fitore radhazi në ligë.
Këto dy skuadra u përballën së fundmi në çerekfinale të Kupës, ku Golden Eagle Ylli arriti të kalojë në gjysmëfinale.
Programi i javës së 18-të
E shtunë
17:00 – Bashkimi vs Sigal Prishtina
19:30 – GO+Peja vs Rahoveci 029
E diel
17:00 – Vëllaznimi vs Bora
19:30 – Trepça vs Golden Eagle Ylli




