Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare pa u respektuar afati ligjor prej 48 orësh për ankesa lidhur me administrimin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Sipas tij, legjislacioni zgjedhor ua garanton subjekteve politike dhe kandidatëve të drejtën për të ankimuar çdo shkelje të supozuar gjatë procesit të numërimit, duke theksuar se kjo çështje lidhet me ligjshmërinë procedurale dhe është e ndarë nga ankimimi i rezultateve përfundimtare.
Cakolli ka shtuar se asnjë fazë e procesit zgjedhor nuk është e përjashtuar nga kontrolli ligjor dhe se çdo veprim që cenon të drejtën për ankesë përbën mohim të mjetit juridik të garantuar me ligj.




