Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe sot me rastin e shënimit të 29-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.
Më 31 janar 1997, tre luftëtarët e lirisë ranë dëshmorë pas një prite të Policisë serbe, duke u bërë dëshmorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sakrifica e tyre shënoi një kapitull të rëndësishëm në historinë e rezistencës së armatosur për liri.
Zahir Pajaziti, i lindur më 1 nëntor 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ishte një nga themeluesit e UÇK-së. Ai ra dëshmor më 31 janar 1997 në Pestovë të Vushtrrisë dhe sot kujtohet si Hero i Luftës së Kosovës.
Homazhet u zhvilluan në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën dhe sakrificën e heronjve, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.




