Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në Prishtinë me rastin e 29-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, tre dëshmorëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë homazheve të mbajtura te përmendorja e Zahir Pajazitit, Kurti theksoi se veprimtaria dhe sakrifica e këtyre heronjve i dhanë një shtysë të fuqishme rezistencës së armatosur dhe rritën vetëbesimin e popullit shqiptar në luftën për liri.
Ai vlerësoi figurën e Zahir Pajazitit si një luftëtar të palodhur dhe një nga themeluesit e UÇK-së, duke nënvizuar se rënia e tij, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën në janar të vitit 1997, shënoi një moment kyç në historinë e rezistencës çlirimtare.
Sipas Kurtit, historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç UÇK-ja nuk mund të kuptohet pa figurën e Zahir Pajazitit. Ai shtoi se përkujtimi i dëshmorëve shërben edhe si zotim për përgjegjësitë shtetërore dhe vazhdimin e rrugës së tyre.




