Në Teatrin “Avdush Hasani” sot u mbajt Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, ku u nderuan veprimtaria dhe sakrificat e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullaut.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj dite për kujtimin e dëshmorëve dhe rolin e Zonës së Llapit në formimin e grupeve të organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit dhe shokëve të tij, të cilët u bënë frymëzim për brezat e rinj dhe sakrificën për lirinë e vendit,” tha ai.
Kurti shtoi se përmes angazhimit të djemve dhe vajzave të Llapit, historia e Kosovës është shënuar me guxim, vendosmëri dhe flijim. “Këta njerëz, përmes veprës dhe jetës së tyre, shënuan udhëtimin drejt lirisë. Ata treguan se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë,” u shpreh kryeministri.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se rënia heroike e Pajazitit, Hoxhës dhe Zejnullaut ishte frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan UÇK-së. Ai i cilësoi ata si simbol të qëndresës dhe të organizimit të armatosur kundër pushtimit serb.
Vëllai i Zahir Pajazitit, Bajram Pajaziti, u shpreh se vizioni dhe vendosmëria e këtyre tre luftëtarëve i bënë udhëheqës të brezit të parë të rezistencës së armatosur dhe themelues të UÇK-së. “Me gjakun e tyre vulosën rrugën e lirisë dhe u bënë frymëzim për gjithë ata që luftuan më pas për pavarësinë e Kosovës,” tha ai.
Më 31 janar 1997, në Pestovë të Vushtrrisë, ranë dëshmorët e parë të UÇK-së: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullau. Pajaziti, i lindur më 1 nëntor 1962 në Turuqicë të Podujevës, mbetet një nga themeluesit dhe figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.




