Pas vërshimeve që goditën Komunën e Malishevës gjatë muajit janar, autoritetet komunale kanë nisur procesin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në ekonomitë familjare, biznese dhe infrastrukturën publike.
Zyrtari për Informim në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, ka bërë të ditur se pas përfundimit të gjendjes emergjente është aktivizuar komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve, ndërsa qytetarët kanë pasur afat për dorëzimin e kërkesave deri më 16 janar. Për shkak të interesimit të madh, afati është shtyrë për disa ditë, duke rezultuar me gjithsej 225 kërkesa të pranuara.
Sipas tij, komisioni ka dalë në terren dhe po vazhdon vlerësimin e dëmeve, proces i cili ende nuk ka përfunduar për shkak të numrit të madh të rasteve dhe dëmeve të evidentuara, përfshirë ato në infrastrukturën rrugore, ura, diga dhe shtratin e lumit Mirusha. Pas përfundimit të raportit, ai do t’i dërgohet Kuvendit të Komunës për miratim dhe më pas Qeverisë së Kosovës.
Paçarizi theksoi se dëmet janë të konsiderueshme, veçanërisht në ekonomitë familjare, ku janë dëmtuar bodrume, pajisje shtëpiake, pajisje elektrike, mobilie dhe materiale ndërtimore.
Sa i përket kompensimit, ai tha se aktualisht është herët të flitet për mbulimin e dëmeve nga ana e komunës, pasi nuk ekziston fond emergjent në nivel lokal, problem që sipas tij prek të gjitha komunat në Kosovë. Megjithatë, ai shprehu shpresën se Qeveria do të shqyrtojë raportet e dërguara nga komunat e prekura dhe do të marrë vendim për kompensimin e një pjese të dëmeve.Ndërkohë, Komuna e Malishevës ka ndërhyrë në disa zona për të mundësuar qarkullimin dhe për të parandaluar dëme të mëtejme, duke riparuar pjesërisht rrugë dhe ura të dëmtuara.
Vërshimet që ndodhën më 6 janar në Malishevë çuan edhe në evakuimin e gjashtë familjeve nga zonat e rrezikuara./GazetaBlic\




