Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 31 janarin e vitit 1997, ditën kur ranë heroikisht Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, duke nderuar sakrificën e tyre në Prishtinë, Orllan dhe në sheshin e Podujevës.
Përmes një postimi, Osmani theksoi se këta tre heronj përbëjnë themelet mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës dhe se rënia e tyre u bë frymëzim për mijëra të rinj e të reja që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot u përkulëm para themeleve të lirisë sonë. Sakrifica e tyre u shndërrua në fitore, ndërsa gjaku i derdhur u bë bazë e shtetit të Kosovës,” ka shkruar Presidentja.
Ajo shprehu mirënjohje të përhershme për të gjithë heronjtë e UÇK-së, duke theksuar se vepra dhe kujtimi i tyre do të mbeten udhërrëfyes për brezat e ardhshëm në ndërtimin dhe mbrojtjen e një Kosove të lirë dhe sovrane.




