Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka deklaruar se proceset e brendshme në parti duhet të udhëhiqen nga vullneti i delegatëve dhe jo nga qëndrime të paracaktuara të degëve, duke theksuar se LDK-ja ndodhet në një fazë të rëndësishme reflektimi pas rezultateve zgjedhore.
Selmanaj vlerësoi se çdo delegat duhet të ketë liri të plotë për të vendosur mbi drejtimin e ardhshëm të partisë, duke nënvizuar se pavarësia e mendimit dhe demokracia e brendshme janë vlera thelbësore të LDK-së.
Ai tha se LDK-ja ka dëshmuar edhe më herët aftësi për vetërregullim dhe reflektim në momente sfiduese, ndërsa shprehu shqetësim për paqartësitë rreth agjendës së diskutimeve aktuale, duke theksuar rëndësinë e qartësisë dhe transparencës në proceset vendimmarrëse.
Sipas Selmanajt, partia ka vendosur standard në Kosovë për reflektim pas rezultateve jo të kënaqshme dhe sot pritet një debat gjithëpërfshirës për gjendjen aktuale dhe rrugën përpara.
Ai theksoi se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore u takon strukturave të partisë dhe jo votuesve.
Duke folur për udhëheqjen e ardhshme, Selmanaj vlerësoi kontributin dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit si një aset të rëndësishëm për LDK-në, por nënvizoi se gara duhet të jetë e hapur dhe vendimi final t’u takojë delegatëve.
Në fund, Selmanaj tha se LDK-së dhe Kosovës u nevojitet një parti me një qasje dhe dinamikë të re, duke e konsideruar debatin e brendshëm dhe konkurrencën si shenja të shëndosha të demokracisë politike.




