Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se paga minimale në Kosovë, sipas vendimit të Qeverisë, është 425 euro që nga 1 janari 2026, dhe paralajmëroi masa sindikale ndaj kompanive që nuk e zbatojnë këtë vendim.
Azemi bëri të ditur se deri tani vetëm një kompani ka shkelur këtë rregull, ndërsa për kompanitë e tjera do të bëhet vlerësimi pas datës 5-6 shkurt. Ai theksoi se sindikata do t’u japë afat një jave kompanive që nuk e respektojnë pagën minimale, përndryshe do të ndërpritet puna deri sa të bëhet pagesa sipas vendimit.
Sipas sindikatës, paga minimale aktuale nuk mbulon shpenzimet bazike për një familje katër anëtarëshe, dhe Azemi ka sugjeruar se një fazë kalimtare prej 600 eurosh do të ishte më e drejtë, megjithatë vendimi i Qeverisë duhet respektuar për momentin. /EO/




