Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kujtuar 26-vjetorin e ngjarjeve tragjike të 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës, kur strukturat kriminale serbe, të njohura si “Rojat e Urës”, vranë 10 shqiptarë, plagosën dhjetëra të tjerë dhe dëbuan mbi 11 mijë banorë nga shtëpitë e tyre.
Basha ka theksuar se, edhe pas më shumë se dy dekadash, veriu i Mitrovicës ka ndryshuar rrënjësisht nga ana e sigurisë dhe rendit, por pa drejtësi për viktimat dhe llogaridhënie për krimet e kryera, plagët e së kaluarës nuk mund të mbyllen plotësisht.
Ai ka bërë thirrje që kujtesa e ngjarjeve të shërbejë si përkujtim dhe si motiv për të ndërtuar një të ardhme mbi ligj, barazi dhe bashkëjetesë, duke mos lejuar kurrë më dhunë dhe dëbime për shkak të përkatësisë etnike.




