Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë një person me inicialet A.I., i dyshuar për veprën penale të kanosjes ndaj gazetarëve dhe një monitoruesi të drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti dyshohet se ka ndodhur më 30 janar 2026, rreth orës 14:30, në ambientet e Gjykatës Themelore në Gjilan – Dega në Viti, pas përfundimit të një seance gjyqësore.
I dyshuari dyshohet se u është drejtuar ekipit të një mediumi dhe monitoruesit të një organizate për drejtësi me gjuhë dhe veprime kërcënuese, të cilat janë dokumentuar edhe përmes pamjeve video.
Pas incidentit, i dyshuari ishte shpallur në kërkim policor, pasi nuk ishte i arritshëm për organet e hetuesisë. Ai është arrestuar më 3 shkurt 2026 dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Kanosje”, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë kompetente.




