Rreth 30 persona janë duke u intervistuar nga autoritetet lidhur me dyshimet për keqpërdorime dhe manipulime të votave në komunat e Deçanit dhe Junikut.
Ky proces po zhvillohet në kuadër të hetimeve që po i udhëheq Prokuroria Themelore në Pejë.
Sipas njoftimit të prokurorisë, intervistimet kanë nisur sot dhe përfshijnë komisionarë të përfshirë në procesin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Qëllimi i këtij procesi është sqarimi dhe zbardhja e plotë e të gjitha rrethanave që lidhen me dyshimet për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.
Veprimet hetimore janë autorizuar fillimisht më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, ndërsa hetimet po zhvillohen nga prokurorët kompetentë në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Hetimeve të Policisë së Kosovës në Pejë.




