Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se gjatë javëve të fundit ka funksionuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur njëkohësisht në operim tri njësi të Termocentralit Kosova A dhe dy njësi të Kosova B, gjithsej pesë njësi gjeneruese aktive.
Sipas KEK-ut, nga data 19 dhjetor e deri në fillim të shkurtit, tri blloqe të Kosova A kanë qenë paralelisht në funksion për gjithsej 31 ditë, çka përbën një nivel të lartë të ngarkesës teknike për termocentralin më të vjetër në vend.
Ky operim është realizuar si përgjigje ndaj rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike.
Korporata bën të ditur se standardi i zakonshëm i pasluftës ka qenë operimi me katër njësi gjeneruese, ndërsa situata aktuale ka kërkuar tejkalimin e këtij standardi për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.
KEK thekson se ky angazhim është rezultat i punës së vazhdueshme të rreth 4 mijë punëtorëve, të cilët po operojnë në kushte të ngarkesës maksimale.
Po ashtu, është paralajmëruar se njësia A5 pritet të rikthehet së shpejti në operim, duke mundësuar vazhdimin e regjimit të jashtëzakonshëm me pesë njësi aktive, në funksion të stabilitetit energjetik të vendit.




