Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nisur drejt Romës për një vizitë zyrtare në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni, pas ftesës së Papa Leonit XIV.
Sipas agjendës së publikuar nga Agjencia për Media dhe Informim, Rama do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore. Pritja do t’i paraprijë audiencës me Papa Leonin XIV në Bibliotekën Papnore.
Vizita përfshin gjithashtu qëndrimin në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku kryeministri do të vizitojë Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe altarin e Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit, Rama dhe bashkëshortja do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Pjesë e vizitës janë edhe takime të tjera, përfshirë Kardinalin Pietro Parolini, Sekretar Shteti i Vatikanit.




