Gjykata Supreme ka konfirmuar se deri tani ka pranuar një ankesë lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ankesa është dorëzuar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dhe ka të bëjë me një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili të martën shqyrtoi shtatë ankesa pas publikimit të rezultateve zgjedhore.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, ka bërë të ditur se afati për paraqitjen e ankesave në Supreme është 48 orë nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-së. Ndërkohë, Supremja ka në dispozicion pesë ditë për të marrë vendim pasi të përfundojë afati i ankimimit.
Nga shtatë ankesat e trajtuara nga PZAP, vetëm ajo e Listës Srpska është aprovuar. Kjo ankesë kishte të bënte me vendimin e KQZ-së për mosshpalljen e rezultatit përfundimtar për këtë subjekt dhe kandidatët e tij në afatin e paraparë. Gjashtë ankesat e tjera janë refuzuar.
Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme mbi ankesat e pranuara, KQZ-së do t’i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.




