Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar një takim me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjatë vizitës së këtij misioni në Kosovë.
Sipas njoftimit të ZRRE-së, në takim janë diskutuar zhvillimet kryesore në sektorin e energjisë elektrike, përfshirë projektet energjetike dhe proceset rregullatore tarifore. ZRRE prezantoi progresin në fazat e liberalizimit të tregut, duke theksuar se faza e parë po zbatohet me sukses dhe se procesi do të vazhdojë gradualisht, në përputhje me kornizën ligjore dhe parimet e tregut të hapur.
Po ashtu, palët diskutuan për zhvillimin e projekteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, si dhe për investimet në rrjetin e transmisionit dhe shpërndarjes, me synim integrimin e sigurt të kapaciteteve të reja në sistemin elektroenergjetik.
Në kuadër të shqyrtimeve tarifore, u trajtua ndikimi i kostove operative, gjendja e rrjetit, humbjet teknike dhe sfidat në gjenerim në çmimin e energjisë elektrike.
ZRRE ritheksoi rolin e saj si institucion i pavarur rregullator, të përkushtuar për garantimin e stabilitetit rregullator, sigurisë ligjore dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve.




