Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit takime të ndara me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, dhe Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.
Po ashtu, Abdixhiku ka pranuar urime për mbajtjen e Kuvendit demokratik të LDK-së edhe nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë Kosovës dhe LDK-së në proceset e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik, duke i cilësuar këta partnerë si aleatë kyç të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimeve, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, qëndrimet e LDK-së ndaj situatës së krijuar, si dhe për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe parimet demokratike.
Abdixhiku theksoi urgjencën për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies shoqërore në Kosovë.





