Prokuroria Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 22 kryesuesve të ekipeve të numërimit, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë zgjedhjeve parlamentare në Komunën e Gjakovës.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimet hetimore janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Gjakovë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe më pas është kërkuar paraburgimi i tyre pranë gjykatës kompetente.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të gjithë të dyshuarve është iniciuar procedurë penale për veprën “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, e paraparë në nenin 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Hetimet lidhen me dyshime për parregullsi dhe manipulim të rezultateve gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike në zgjedhjet për deputetë të Kuvendit të Kosovës.




