Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë sqarime përmes një video-mesazhi lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, duke bërë të ditur se fushata informuese do të zgjasë deri më 15 mars, ndërsa nga 16 mars ligjet do të zbatohen në tërësi.
Sveçla theksoi se që nga 16 janari, në të gjitha pikat kufitare dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të huajt janë informuar për detyrimet ligjore që kanë të bëjnë me hyrjen, qëndrimin, punësimin dhe qarkullimin në Kosovë.
Ai rikujtoi se vizitorët duhet të posedojnë dokumente të vlefshme udhëtimi, të respektojnë afatin dhe qëllimin e qëndrimit, si dhe të deklarojnë adresën e banimit brenda tre ditëve nga hyrja në vend.
Sipas tij, qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda 180 ditësh, pa të drejtë pune. Për punësim kërkohet leje qëndrimi dhe leje pune. MPB-ja, sipas Sveçlës, ka lehtësuar procedurat duke mundësuar deklarimin elektronik të adresës dhe aplikimin për leje qëndrimi edhe në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren.
Në lidhje me automjetet, ministri në detyrë theksoi se si shtetasit e huaj ashtu edhe qytetarët e Kosovës duhet të respektojnë afatet për qarkullimin e automjeteve të regjistruara jashtë vendit, si dhe rregullat për përdorimin e patentë-shoferëve të huaj.
Në fund, Sveçla tha se këto ligje zbatohen njësoj për të gjithë dhe janë të harmonizuara me standardet evropiane, me synim garantimin e sigurisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe forcimin e menaxhimit të migracionit, kufijve dhe rendit publik.




