Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar procesin si “të rëndë dhe të paparashikueshëm”.
Ai ka theksuar se shumë nga akuzat, përfshirë edhe ato për trafikim të organeve njerëzore, nuk janë vërtetuar dhe se prokuroria ka hequr dorë nga disa akuza.
Seancat gjyqësore me prokurorinë, trupin gjykues, mbrojtjen dhe fjalimet e të akuzuarve – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – pritet të zhvillohen nga 9 deri më 18 shkurt.
Mustafa ka thënë se ish-krerët e UÇK-së meritojnë lirimin nga paraburgimi dhe ka shprehur mbështetje për marshin e 17 shkurtit në Prishtinë si shprehje të opinionit për ligjshmëri, barazi dhe mospolitizim të gjykatës, pa e konsideruar atë ndërhyrje në punën e gjykatës.




