Policia e Kosovës në Gjakovë ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në dy raste të vjedhjes së rëndë, në kuadër të planit operativ për parandalimin dhe luftimin e veprave penale të kësaj natyre.
Sipas njoftimit, më 6 shkurt 2026 rreth orës 18:40, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Gjakovë ka arrestuar të dyshuarin me inicialet K.M. Pas hetimeve të zhvilluara, dëshmive të mbledhura dhe analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, dyshohet se ai është i përfshirë në dy raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në dy lokale të ndryshme në qytetin e Gjakovës.
Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, me synim rritjen e sigurisë dhe rendit publik në komunitet.




