Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka filluar intervistimin e anëtarëve të Qendrës Komunale të Numërimit dhe Rezultateve në Drenas.
Veprimet janë ndërmarrë pas autorizimit të Prokurorisë dhe lidhen me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe do ta mbajë opinionin publik të informuar për zhvillimet e mëtejshme.




