Futbollisti i FC Ballkanit, Almir Kryeziu, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 19-të të Superligës së Kosovës, çmim që ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me sponsorin Albi Mall.
Kryeziu ishte vendimtar në fitoren e Ballkanit ndaj Gjilanit me rezultat 2:1, duke shënuar një gol dhe asistuar në golin tjetër gjatë 88 minutave të lojës. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së çmimit, Kryeziu u shpreh i kënaqur për vlerësimin, duke theksuar se synimi i Ballkanit mbetet titulli i kampionit dhe suksesi në Kupën e Kosovës, ndërsa falënderoi bashkëlojtarët dhe stafin për mbështetjen.




