Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe përmirësimin e shërbimeve bibliotekare.
Bashkëpunimi përfshin përdorimin e platformës KOHA për katalogimin, inventarizimin dhe përpunimin bibliografik të fondit të ASHAK-ut, si dhe azhurnimin e bibliografive të akademikëve.
Marrëveshja përfshin gjithashtu trajnimin e stafit, shkëmbimin e materialeve bibliotekare, ndarjen e përvojës profesionale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, edukative dhe shkencore.
Ky hap synon të rrisë qasjen në burime shkencore dhe akademike dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve për komunitetin hulumtues dhe publikun e gjerë.




