Ish-hetuesja e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për 45 vjet burg për ish-udhëheqësit e UÇK-së, duke e konsideruar atë të tepruar dhe jashtë proporcionit me provat e paraqitura. Sipas saj, kjo kërkesë përbën një dënim praktikisht të përjetshëm, pasi të akuzuarit janë të moshës 60–70 vjeç.
Tromp krahasoi situatën me rastin e ish-oficerit të ushtrisë kroate Tihomir Bllashkiq, i cili ishte dënuar fillimisht me 45 vjet, por Apeli e uli dënimin në 9 vjet. Ajo theksoi se kjo tregon një praktikë të ndjekjes së tepruar, ku prokuroria tejkalon barrën e provave.
Sipas Tromp, nëse Dhomat e Specializuara miratojnë kërkesën për 45 vjet, kjo do të përbënte një devijim nga praktikat e gjykatave ndërkombëtare, duke u larguar nga standardet e tribunaleve për ish-Jugosllavinë, Ruandën dhe raste të tjera ndërkombëtare.
Ajo shtoi se masa e dënimeve është jashtë normave të njohura, veçanërisht kur krahasohet me rastet e krimeve të gjenocidit si ato të Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit./GazetaBlic/




